Mes kotësisë së "ndërkohës" dhe intermexo-t e nevojshme
Vështrime

Mes kotësisë së "ndërkohës" dhe intermexo-t e nevojshme

11.Mar.2015 23:44
0
Nevoja e komunikimit me tjetrin apo me të tjerët është ndjenjë që na plotëson një zbraztësirë, që mbushë kupat e kotësisë së "ndërkohës", intermex-ot e orarit obligativ të përditshmërisë sonë. Kur s'ke çka bënë luaje derën ka thënë "ai i moçmi", se përndryshe do të hashë nga pema e ndaluar në Parajsë, siç bëri parardhësi ynë Ademi, me ç'rast të shpie në humbjen e virgjërisë morale ndaj obligimeve primare.

Shkruan: Fehmi Maliqi

Që nga koha kur njeriu e percepton veten si qenie e vetëdijshme për rolin dhe misionin që ka të shprehurit, komunikimi dhe mënyrat e realizimit të tij do të jenë ndër preokupimet dalluese të tij. Varësisht nga etapat e tij zhvillimore hasim edhe mënyrat, format dhe mjetet e komunikimit me ambientin ku jeta e tij reale qeniesohet përmes punës, ndërsa dëshirat dhe ëndërrimet përmes artit. Apo, edhe pse sot na duket jo fort reale, aq më pak ideale, nëse sa më shumë kthehemi në histori, do të kuptojmë se puna dhe arti janë gjithnjë e më të ndërlidhura mes veti, ndërlidhje kjo që do të sublimohet edhe si bindje, besim apo edhe fe, përmes ritualesh të ndryshme të shprehura qoftë përmes recitimit, vallëzimit apo simboleve (e simbolikave) të ndryshme. 

Madje kjo prirje, dëshirë dhe nevojë në historinë e filozofisë antike njihet edhe si sofizëm, apo më vonë retorika e mesjetës e konstituuar deri edhe në kufijtë e shkencës (në kohën kur shkencat e natyrës u ndanë nga filozofia) do t’i paraprijë një zanati të njerëzve me prirje të veçanta stilistike për të hartuar tekste për destinim publik apo thënë me gjuhën e sotme për mardhënie me publikun (PR).

Mënyra, metodat dhe mjetet e përhapjes së lajmit, edhe këto kishin një specifik të veten e që zhvilloheshin përkrah rritjes së nevojës për një komunikim sa më masovik. Nga boria e deri te, telegrafi, radioja, televizioni dhe interneti është një rrugë e gjatë e gjetjes së formave më të zëshme, të përshtatshme dhe të shpejta për përhapjen e një lajmi.

Që nga koha pas periudhës primitive e deri në format e sotme të organizimit shoqëror, shkathtësia e komunikimit dhe përsosja e metodave e mjeteve për komunikim sa më të efektshëm, kishte një mision, para së gjithash të klasave të privilegjuara për ta ruajtur pozitën e tyre në shoqëri. Arti i komunikimit në dialogjet antike me karakter filozofik, në gjykatoret publike ku ndahej drejtësia, madje deri edhe në përballjet luftarake gjatë dyluftimeve reale në fushëbeteja apo edhe të kreshnikëve në epikën legjendare, sot mund të vërehet se ka ndryshuar në mjete dhe metodologji por kurrsesi nuk e ka ndryshuar funksionin, misionin dhe qëllimin. Sapo ndëgjon valët e radios përmes eterit, hap ekranin e televizorit, apo fillon surfimin në internet, fillon edhe të bombardohesh me informacione që i shërbejnë qëllimit të dikujt, reklama nga të cilat përfiton prodhuesi, emisione të ndryshme nga të cilat përfitojnë producentët dhe e gjithë kjo e paketuar në frymën e një sistemi vlerash i cili është në funksion të ruajtjes, zhvillimit dhe të realizimit të një mendësie, të një fryme përmes së cilës qeniesohet dhe manifestohet një periudhë kohëre e veprimit të njeriut dhe shoqërisë njerëzore.

Tani më jemi të okupuar nga mjete e burime të shumta të informacionit, të cilat kanë një emërtim të përbashkët dhe të njohur si media (ndërmjetësues). Nëse më lartë u konstatua se komunikimi publik, informimi apo sido që ta emërtojmë këtë proces kishte mision dhe qëllim, mendoj se argumenti më i qëndrueshëm për ta vërtetuar këtë është se shumica e mjeteve (mediave) për komunikim masiv ishin ideuar dhe prodhuar për qëllime ushtarake dhe propaganduese (në kohët moderne telefonat satelitor dhe interneti ishin nevojë e ushtarëve amerikanë për të komunikuar me tokën nga bazat e tyre në ujërat oqeanike, dhe jo vetëm). Tani, nga kjo mori e panumërt e (burimit të) informacioneve, fitohet përshtypja se të gjithë njerëzit janë të ditur, të informuar dhe se janë krijuar kushte për të (se)ndërtuar një personalitet të qëndrueshëm njerëzor.

Në demokraci të brishta Ballkanike, politika dhe politikanët kanë toleruar një liri të shprehjes, vetëm sa për të shkaktuar kaos informativ, ashtu që të fitohet dhe të mbisundoj përshtypja se megjithatë mediat shtetërore janë më të besueshme. Nëse elitat politike të këtyre vendeve nuk kanë pasur sukses në zhvillimin e ekonomisë e as në promovimin e dijes që prodhon këtë zhvillim, kanë pasur sukses që mediat e tyre t’i promovojnë si më të besueshmet. Kjo gjë mund të vërehet edhe përmes anketave dhe hulumtimeve të ndryshme, nga të cilat delë se emisionet qendrore informative të mediave shtetërore janë ende më të shikuarat.

Kjo anarki mediale sigurisht se nuk do të rregullohet vetëm nga një kornizë ligjore, qoftë ajo edhe më e mira, deri sa në shoqëri nuk ka një elitë intelektuale të besueshme që promovon vlera që na shpiejnë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Nëse vazhdon kështu do të pendohemi pse pritëm këtë zhvillim të teknologjive të informacionit, duke qenë se ato, si demokracia me gjithë elementet e saj, ranë në duar të matrapazëve, joprofesionistëve, provincialistëve dhe profiterëve të të gjitha llojeve.

Dikur ishte e qartë se në publik mund të ndëgjohej vetëm fjala apo mendimi i një njeriu të kualifikuar, tani kur edhe budallenjtë kanë aq shumë hapësirë shprehëse sa nuk mund të prodhojnë marrëzi për ta zënë atë, nuk mbetet tjetër rrugëdalje pos një sistemi e planprogrami edukativ-arsimor të avancuar dhe me personel shumë të ndërgjegjshëm për rolin dhe misionin që duhet ta luaj. 

 

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI     
(Autori është nga fshati Bilaç i Komunës së Bujanocit)
Pisllëqet e kohës
Promovohen botimet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration